Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshëm kërkesën e Vasilije Arsiqit, që gjykata të vlerësojë kushtetutshmërinë e rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Kushtetuesja tha se Arsiq kishte kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme, përkatësisht që të pezullohej zbatimi i rregullores, që parasheh euron si monedhën e vetme për pagesa me para të gatshme
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parashtruesi nuk kishte shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj për të mbështetur pretendimet për cenim të të drejtave dhe lirime themelore të njeriut.
Arsiq në kërkesën e tij kishte argumentuar se rregullorja në mënyrë të tërthortë është diskriminuese ndaj komunitetit serb, “pasi që në radhë të parë prek komunitetin serb në Kosovë edhe pse vetë rregullorja nuk përmban shprehimisht dispozita diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon diskriminim indirekt”.
Rregullorja e BQK-së është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar i cili i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e tij, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për popullatën serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb për pagesa. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Në maj, BQK-ja përmbylli periudhën transitore për zbatimin e lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme.
Çështja e dinarit është ngritur disa herë edhe në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, palët ende nuk kanë arritur ndonjë kompromis për këtë çështje. /REL