Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur para mediave pasi deputetët e PDK-së dhe LDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, në pakënaqësi të votave kundër nga mazhoranca për të tërhequr nga pika e rendit të ditës tri projektligjet; atë të KPM-së, KPK-së dhe projektligjin për Zyrtarët Publikë, njofton Gazeta Enigma.
Tahiri tha se me këto ligje rrezikohet liria e mediave, pavarësia e gjyqësorit dhe siguria juridike e zyrtarëve publikë.
“Nuk mund të vazhdonim të qëndronim në seancën e sotme të Kuvendit ku po tentohej të kaloheshin tri projektligje që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë”, tha Tahiri.
Ndërkohë, edhe Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me modelin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës “cenohet pavarësia institucionale që i delegohet nga Kushtetuta e Kosovës”.
Tahiri ka thënë se tri ligjet e sotme në Kuvend e godasin demokracinë dhe zërin e lirë.
“Tri ligjet e sotme do të godasin demokracinë dhe zërin e lirë, duke shkaktuar dëme afatgjate për institucionet e pavarura kushtetuese, duke goditur në themel administratën shtetërore duke krijuar pasiguri juridike dhe duke e lënduar fuqishëm shtetin e së drejtës”, ka thënë Tahiri. /Gazeta Enigma