Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë, përderisa Milan Radoiçiq dhe grupi i tij – të cilët ekzekutuan sulmin terrorist në Banjsë – enden të lirë nëpër Serbi, njofton Gazeta Enigma.
“Ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë me organizimin dhe financim të shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Radoiçiq është i lirë dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë Afrim Bunjaku, por Serbia mund ta dorëzojë grupin paramilitar serb me kryeterroristin Radoiçiq që të përballen me drejtësinë në Kosovë. 39 nga 47 të identifikuar për sulmin ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it. Për sa kohë Radoiçiqi dhe grupi i tij enden të lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Dorëzimi i Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës ishte një nga tri kushtet e Kurtit për të pasur një takim trilateral me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, me kushtin tjetër që ishte tërheqja e letrës së ish-kryeminsitres Ana Bërnabiq dërguar BE-së dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar nënshkrim dhe deponim në organizatat ndërkombëtare. Mirëbesimi në dialog është humbur edhe me letrën që Bërnabiq e dërgoi më 13 dhjetor te shërbimi i jashtëm në BE pasi e lexoi para 27 liderëve të vendeve anëtare. E ajo letër thotë se Serbia nuk e konsideron dhe nuk do ta respektojë marrëveshjen e Brukselit. Andaj, ajo letër duhet të tërhiqet. Ajo letër dhe marrëveshja e arritur në Bruksel janë në kundërthënie me njëra-tjetrën. Marrëveshja duhet të nënshkruhet që të ketë zbatim”, u shpreh Kurti. /Gazeta Enigma