Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nga 1 korriku, qeveria do të fillojë me subvencionimin e policës kufitare për mërgatën.
Murati tha se nga e hëna, më 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund ta marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse, shkruan Enigma.
“Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse”, tha Murati.
Më tej, Murati bëri të ditur se në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie më shumë se 1 muaj si dhe nuk përfshihen automjetet siç janë autobusët, kamionët e motoçikletat.
“Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, tha ai.