Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin prej 11 vjetësh burgim Nazire Abdylit, e cila akuzohet se më 23 dhjetor 2022 në fshatin Kuk të Dragashit, e ka vrarë kunatën e saj Saime Domazetin.
Kjo u konfirmua për Gazetën “Enigma” nga Besim Morina, avokati i të akuzuarës.
“Po, Apeli ia ka vërtetuar dënimin”, tha Morina.
Më 17 maj, Abdyli ishte dënuar nga Themelorja me 11 vjet burgim.
Në seancën fillestare të mbajtur më 15 shtator 2023, e akuzuara e kishte pranuar se e kishte goditur tani të ndjerën, kunatën e saj.
Por, e kishte mohuar vrasjen.
Më 13 korrik 2023, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Nazire Abdylit, se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, motrën e bashkëshortit (kunatën), me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima Domazeti.
Për këtë, Nazire Abdyli, u akuzua se ka kryer vepren penale “Vrasje e rëndë”.
E pandehura Abdyli, gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.
Saime Domazeti, ishte gjetur pa shenja jete në fshatin Kuk të Dragashit.
Ndërkaq, fillimisht rasti ishte hapur si “Vdekje e dyshimtë”.