Kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë francez Rally National (RN), Marine Le Pen, iu është kundërpërgjigjur lojtarit francez Kylian Mbappe, pasi që ky i fundit i cilësi si ‘katastrofike’ rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Francë, ku partia e Le Pen doli e para, transmeton Gazeta Enigma.
“Ka një emergjencë. Ne nuk mund ta lëmë vendin tonë në duart e këtyre njerëzve. Është vërtet urgjente. Mendoj se i kemi parë rezultatet, është katastrofike”, tha Mbappe.
Duke folur nga selia e partisë së saj në Paris, Le Pen sulmoi yllin francez të futbollit, duke hedhur poshtë komentet e tij dhe duke e cilësuar atë si jopërfaqësues.
“Francezët janë të ngopur duke u mbajtur leksione dhe këshilla se si të votojnë. Mbappe nuk përfaqëson francezët me prejardhje imigrimi, sepse ka shumë më tepër prej tyre që jetojnë me pagën minimale, të cilët nuk mund të përballojnë strehim dhe nuk mund të përballojnë ngrohjen, sesa njerëz si Mbappe”, tha ajo.
Partia e Le Pen aktualisht mbështet përfundimin e së drejtës automatike të shtetësisë për njerëzit e lindur nga prindër të huaj në Francë dhe kufizimin e ashpër të shtetësisë me natyralizim. Përveç kësaj, partia propozon kufizimin e të drejtave të të huajve për të aksesuar disa shërbime sociale, përfshirë strehimin, me akses preferencial për shtetasit francezë.
Premtimi i dytë i renditur në manifestin e Tubimit Kombëtar është një ligj që synon ideologjitë islamike, megjithëse nuk elaboron se si do bëhet një gjë e tillë. /Gazeta Enigma