Qeveria Kurti ka ndarë 21 milionë euro për t’ia paguar kompanisë amerikane “Contour Global”, pasi humbi betejën në arbitrazh në tetor të vitit të kaluar.
“Contour Global” e pati çuar Kosovën në arbitrazh më 2020, lidhur me termocentralin “Kosova e Re”.
Më 24 maj 2020 ishte paraparë të bëhej mbyllja e këtij projekti, por dështimi i përfundimit në kohë dhe dështimi i disa tentativave për zgjidhje të kontestit bëri që investitori të çojë Kosovën në arbitrazh.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt nuk ka qenë i dobishëm për vendin që kur ishte planifikuar.
“Siç kemi thënë vite më parë ashtu edhe rezultoi. Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet, as s’ka qenë në përmbajtje i dobishëm për vendin tonë. Fatkeqësisht, ndërprerja e qeverisë tonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar se Kosova të mos kishte pasoja të mëdha. Me gjithë pasojat, është shumë më mire që projekti i tillë nuk është realizuar sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
“Ajo që kemi fituar në arbitrazhe është pothuajse shtatëfishi i kësaj që duhet të paguhet”, tha tutje Kurti.