Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se ai dhe tani e ndjera Marigona Osmani, kanë qenë përdorues të drogës.
Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
“Unë dhe Marigona e ndjera kemi qenë përdorues të drogës. E ndjera ka qenë përdoruese edhe para se të njoftohej me mua, edhe unë gjithashtu. Ndërsa prej ditës së parë që jemi lidhur, dytë kemi qenë përdorues të drogës të llojeve; Kremit, kokainës, ekstazi, speed, marihuanë, hashash, xanax, tramadol, po ashtu kemi qenë edhe përdorues të alkoolit”, tha Krivaqa.
Seanca është duke vazhduar ende, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Gazeta Enigma.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.