Përforcohen Dardanët, Elvis Rexhbeçaj i bashkohet Kombëtares së Kosovës

Përforcohen Dardanët, Elvis Rexhbeçaj i bashkohet Kombëtares së Kosovës

Futbollisti i njohur, Elvis Rexhbeçaj, ka nënshkruar sot për Kombëtaren e Kosovës, transmeton Gazeta Enigma.

Letra konfirmuese u nënshkrua me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili u shpreh shumë i kënaqur me këtë prurje të re tek Dardanët.

Ademi theksoi rëndësinë e këtij transferimi për Kombëtaren e Kosovës, duke vlerësuar lart profilin dhe aftësitë e Rexhbeçaj, të cilat do të jenë një shtesë e çmuar për ekipin e drejtuar nga Franco Foda.

Edhe vetë futbollisti, Elvis Rexhbeçaj, shprehu entuziazmin e tij për këtë vendim të rëndësishëm në karrierën e tij. Ai falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe Agim Ademin dhe Fekmi Kongjelin, për përpjekjet dhe kontaktet e vazhdueshme ndër vite.

“Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj.

“Kjo prurje e re është një hap i madh për Kombëtaren e Kosovës, duke shtuar një tjetër lojtar me përvojë dhe aftësi të larta”, tha FFK-ja në njoftim.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin përfaqësuesit të Federatës së Futbollit të Kosovës për Gjermani, Fekmi Kongjeli (i cili ka mbajtur kontaktin me Elvisin), vëllait të tij Blendard Rexhbeçaj, i cili njëherësh është menaxheri i tij, si dhe biznesmenit Afrim Osmanaj. /Gazeta Enigma

Related Articles