Gjykatës Kushtetuese i kërkohet ta vlerësojë aktgjykimin e Supremes për hidrocentralet e Deçanit

Gjykatës Kushtetuese i kërkohet ta vlerësojë aktgjykimin e Supremes për hidrocentralet e Deçanit

Organizatat GLPS, Pishtarët dhe tre qytetarë të Deçanit – Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi –  kanë parashtruar kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme për çështjen e procedurave dhe vendimet për lejet ujore e mjedisore për hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi”.

Sipas tyre, vendimi i 5 marsit i Supremes shkel dispozitat kushtetuese kur ka vendosur se procedurat dhe vendimet për leje ujore e mjedisore të këtyre hidrocentraleve janë të ligjshme.

“Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si ‘Rasti i hidrocentraleve të Deçanit’, nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore”, thuhet në një njoftim publik të GLPS-së. “Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor”.

GLPS-ja dhe Pishtarët kanë vlerësuar se Apeli dhe Supremja kanë interpretuar gabimisht nene të Ligjit për Ujërat dhe kanë shpërfillur dëmet e dukshme mjedisore.

“Konkretisht, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë bërë interpretime qartazi të gabuar të neneve 72 dhe 78 të Ligjit për Ujërat. Sikundër që këto gjykata kanë shpërfillur tërësisht faktin se dëmet e dukshme mjedisore në këtë rast janë konstatuar edhe nga vet komisioni gjegjës i MMPHI. Por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të adresuar gjetjet e komisionit të vet. Ndërsa Gjykata Supreme, në mënyrë krejtësisht arbitrare, ka arsyetuar se nuk ka tagër të veprojë kundrejt mosveprimit të MMPHI për të ndaluar një dëm mjedisor, të konstatuar nga vet MMPHI”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu thuhet se organizatat shpresojnë që Kushtetuesja t’i trajtojë me seriozitet dhe profesionalizëm argumentet e që ta kthejë çështjen në Apel.

Related Articles