“Përveçse profesor, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut”

“Përveçse profesor, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar veprës dhe jetës së akademik Eshref Ademajt, me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Në fjalën e tij, Kurti rikujtoi se Profesor Ademaj shpenzoi gjithë potencialin e tij në avancimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij, ku përveç se profesor, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut dhe i çështjes sonë kombëtare, njoftojnë nga zyra e kryeministrit.

“Kontributi i tij ishte tejet i rëndësishëm në kohën kur shteti okupator serb, me tërë fuqinë e tij kishte vendosur për zhbërjen e shkollës shqipe në përgjithësi, e veçanërisht të Universitetit të Prishtinës. Pas aplikimit të masave të dhunshme administrative në universitet, profesor Eshrefi ishte ndër ideatorët kryesorë të vazhdimit institucional dhe legal të punës së universitetit nëpër objekte private, e madje ai dha në dispozicion edhe shtëpinë e tij”, tha Kurti.

Kësisoj, kreu i qeverisë shtoi se përgatitja e profesorit dhe aftësitë e jashtëzakonshme organizative, e nxorën në ballë të çdo organizimi që ishte në interes të shkollës shqipe dhe të popullit shqiptar të Kosovës.

“Te profili i Prof. Ademajt mund të lexohet një angazhim dhe aktivizëm aq i balancuar prej matematikani e studiuesi, prej profesori e ligjëruesi, prej prodekani, dekani dhe prorektori, por edhe prej një aktivisti të të drejtave të njeriut, një ndërmjetësuesi e pajtuesi të gjaqeve e të ngatërresave dhe prej një intelektuali të angazhuar deri në ditën e fundit të jetës së tij”.

Kryeministri përmendi edhe rezultatet shkencore të Profesor Ademajt të publikuara në revista serioze ndërkombëtare. Veçoi faktin që ai themeloi revistën e parë shkencore në fushën e matematikës, të titulluar “Punime Matematike”, ku botoheshin artikuj shkencorë të matematikanëve dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota. Ndërkaq, brenda pak vitesh arriti ta indeksojë revistën në të dy institucionet më kredibile shkencore ndërkombëtare: Mathematical Reviews dhe Zentralblatt.

Related Articles