Plagosja e të miturit nga polici në Istog, Prokuroria thotë se me dashje tentoi ta privoj nga jeta viktimën

Plagosja e të miturit nga polici në Istog, Prokuroria thotë se me dashje tentoi ta privoj nga jeta viktimën

Polici i arrestuar dhe i suspenduar për plagosjen në Istog po hetohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë. Fatjon Hoti, zyrtar policor i gjeneratës së 59-të përfundoi të martën në prangat e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Në kërkesën për masën e paraburgimit thuhet se polici i dyshuar ka vepruar me dashje, duke tentuar ta privojë nga jeta tezakun e tij.

Në kërkesën e siguruar nga Gazeta Sinjali është përshkruar në detaje se si nisi rasti, që për pak rrezikoi të përfundonte edhe tragjikisht. 

“Më datë 15 korrik, rreth orës 23:35, në rrugën “Kuvendi i Arbrit” në fshatin Dubravë në Istog, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër dhe atë të dëmtuarin, të miturin G.K., në atë mënyrë që në natën kritike, përderisa i dëmtuari kishte qenë së bashku me vëllain e tij, mysafirë në shtëpinë e të pandehurit, ku po qëndronin në dhomën e gjumit, për një moment i pandehuri përderisa ishte bërë gati që të shkonte në punë, në ndërrimin e natës, i veshur me uniformë të zyrtarit policor, merr armën nga dëshmitari, ku këtij të fundit paraprakisht ia kishte dhënë një shikim, e i cili në ato momente ishte ulur në krevat, ku kishte nxjerrë karikatorin nga arma dhe i kishte larguar fishekët një nga një, me ç’rast i pandehuri i nervozuar nga ky veprim, merr armën nga dëshmitari dhe këtij të fundit i mbetet një karikator në duar, ndërsa i pandehuri e vendos karikatorin tjetër që e kishte në rripin e pajisjeve policore, raportirat dhe shtënë një herë në drejtim të të dëmtuarit, i cili në ato momente ishte në këmbë dhe në distancë rreth 2-3 m larg prej të pandehurit, dhe të njëjtin e godet në pjesën e kokës, në anën e djathë, ku si pasojë i shkakton lëndime trupore” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Polici i suspenduar ngarkohet me veprën penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”.

Në arsyetimin e Prokurorisë për kërkesën për paraburgim është marrë parasysh pesha, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe po ashtu për faktin se i dyshuari duke qenë polic i gjeneratës së 59-të, në fillet e karrierës, teksa ishte në uniformë zyrtare, ka shtënë me armë ndaj të miturit në prezencën e vëllait të tij dhe vëllait të tani viktimës. 

Ndryshe, viktima Getoar Kamberaj, rreth 16-vjeçar është në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Related Articles