Hoxhaj: Kurti është gjithnjë e më i izoluar në të gjitha ngjarjet e mëdha ndërkombëtare

Hoxhaj: Kurti është gjithnjë e më i izoluar në të gjitha ngjarjet e mëdha ndërkombëtare

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeminsitri Albin Kurti po izolohet gjithnjë e më shumë nga ngjarjet e mëdha ndërkombëtare, pas mosftesës nga kryeministri britanik në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, njofton Gazeta Enigma.

“Nesër është Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Londër, që organizohet nga kryeministri Starmer, ku do të takohen kryeministrat dhe nga Kosova është ftuar presidentja Osmani dhe jo kryeministri Kurti. Kjo tregon që ai është gjithnjë e më i izoluar në të gjitha ngjarjet e mëdha ndërkombëtare”, shkroi Hoxhaj në një postim në Facebook.

“Sot kuptova se, meqë Bashkimi Evropian e bën protokollin e ftesave për këtë Samit, janë evropianët ata që nuk e duan Kurtin në Samit”, shtoi ai.

Hoxhaj tha se “duhet të jesh i marrë e të besosh se BE shqyrton aplikacionin e një vendi për të marr statusin e kandidatit në BE, apo që evropianët të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kur as nuk e ftojnë fare kryeministrin me një Samit joformal, por të rëndësishëm gjeopolitik, ku do jenë shumë kryeministra të BE dhe jashtë saj”.

“Ftesa i ka ardhur zonjës Osmani dhe nga përvoja ime e gjatë në Qeveri, natyrisht ajo ka mundur ta delegojë ftesën te kryeministri. Delegimi i ftesabe bëhet shpesh në çdo shtet dhe e kemi bërë shpesh në Kosovë. Mirëpo, as ajo nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë”.

Ai po ashtu kujtoi se janë bërë më shumë se një muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje dhe as që dikush mendon që kjo duhet të ndodhë.

“E sanksinuar dhe e izoluar, sot Kosova është një demokraci pa opsione të zgjedhjes, një sovranitet i pa kuptim dhe një vend pa kurrfarë kredibiliteti ndërkombëtar”, përfundoi Hoxhaj. /Gazeta Enigma

Related Articles