Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është deklaruar lidhur me rastin e raportuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në Loznicë të Serbisë.
Përmes një njoftimi në Facebook, MPJ apelon te mërgimtarët që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.
“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thotë MPJ në postim.