Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Qeveria Kurti po e mbyll mandatin e saj me pak punë në çështje infrastrukturore, duke u shprehur se ka bllokuar punime në ndërtimin e rrugëve të reja dhe të autostradave.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se rrugët e rëndësishme që kishin nisur në 2021-n, nuk do të përfundojnë deri në 2026-n. Sipas tij, me këto dinamika të zhvillimit, Kosova nuk do t’i mbërrijë vendet e zhvilluara edhe njëmijë vjet.
“Shumica e Ministrive nuk kanë shpenzuar mbi 30% të buxhetit vjetor për investime kapitale e infrastrukturë në vitin 2021, 2022 dhe 2023. Në tri vitet e para, nuk ka filluar e as nuk ka përfunduar ndërtimi i asnjë rruge të rëndësishme në vend. Projektet e filluara, para vitit 2021, janë ndërprerë, duke shkelur kontratat me operatorët ekonomikë, me çka rreth 60% e të punësuarve në këto ndërmarrje, kanë mbetur pa punë. Janë bllokuar punimet në ndërtimin e kategorisë se rrugëve të reja dhe të autostradave. Sipas publikimeve të ASK, në vitet 2021 dhe 2022 nuk është ndërtuar asnjë kilometër e rrugëve magjistrale dhe vetëm 9 kilometra rrugë rajonale”, është shprehur Haradinaj të enjten.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se në periudhën 2021-2023 nuk është investuar asnjë vend në ndërtimin e rrugëve, e për autostrada vetëm 13 milionë euro.
“Të gjitha mjetet buxhetore të parapara për investime në këto kategori të rrugëve për vitin 2023, nuk janë shfrytëzuar por janë bartur në vitin buxhetor 2024, ndërkohë që mjete të reja për këtë vit, janë ndarë vetëm 10 milionë. Sipas kornizës së shpenzimeve të parapara me ligjin e buxhetit, rezulton se të gjitha rrugët e rëndësishme, të filluara para vitit 2021, nuk do të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Me këto dinamika zhvillimore, Kosova edhe njëmijë vjet nuk do t’i mbërrijë vendet e zhvilluara!”, ka shtuar ai.