Kryeministri Albin Kurti është pyetur sot rreth rastit të Faton Hajrizit, që dyshohet se është vrarë në Serbi, pasi deri më sot kryeministri nuk është deklaruar për këtë çështje, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se rastin e Faton Hajrizit janë duke e trajtuar dy dikastere qeveritare, ato të Punëve të Brendshme, përkatësisht të Drejtësisë.
“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë Kurti gjatë një paraqitje para mediave në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Kujtojmë se dje Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha të hënën se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ato shenja “janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur”. / Gazeta Enigma.