Anketa e UNDP-së ka treguar se qytetarët në Kosovë, ndër problemet më urgjente kanë varfërinë (16.6%), papunësinë (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%), transmeton Gazeta Enigma.
Shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) kanë qenë ndër pesë problemet kryesore.
Përqindja e të anketuarve që e kanë vlerësuar varfërinë si problem madhor ka rënë për 12 përqind, krahasuar me anketën e nëntorit të vitit 2023, kur varfëria (28.6%) është vlerësuar si problem madhor.
Përqindja e të anketuarve që e kanë parë papunësinë si problemin madhor kryesor është ulur për 2.9 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (19.2%).
Përqindja e të anketuarve që i kanë parë çmimet për furnizimet esenciale si problem madhor është rritur me 3.8 pikë të përqindjes (12.7% në maj të vitit 2024, krahasuar me 8.9% në nëntor të vitit 2023).
Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë.
Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se papunësia renditet si problemi madhor kryesor për 16.8% të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa varfëria renditet si problemi madhor kryesor për 15.2% të serbëve të Kosovës dhe 19.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës.
Përderisa varfëria renditet si problemi i dytë më urgjent për 16.6% të shqiptarëve të Kosovës, problemet e hapësirës urbane renditen si problemi madhor i dytë për 13.8% të serbëve të Kosovës, ndërsa energjia renditet si problemi madhor i dytë për 14.2% të komuniteteve të tjera të Kosovës. /Gazeta Enigma