Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë kanë treguar se po ndjehen më pak të sigurt të jetojnë këtu, në një anketë nga UNDP të bërë në muajin maj të këtij viti, transmeton Gazeta Enigma.
Kjo shënon një rënie të perceptimit të serbëve të Kosovës për sigurinë në shkallë prej 5.7 pikë të përqindjes, krahasuar me nëntorin e vitit 2023, kur kjo shifër ka qenë 37.6%.
Të dhënat në mbarë vendin
Të anketuarit janë pyetur për perceptimin e tyre për nivelin e sigurisë nga dhuna dhe krimi kur janë jashtë në rrugë.
Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar një rritje të perceptimit të njerëzve për nivelin e tyre të sigurisë, ku 83.2% kanë deklaruar se ndjehen shumë të sigurt ose deri diku të sigurt kur janë jashtë në rrugë, krahasuar me 79.73% në nëntor të vitit 2023.
Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se një numër pak më i madh i burrave sesa i grave ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, përkatësisht 83.4% dhe 82.9%.
Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike kanë treguar se një numër më i madh i shqiptarëve të Kosovës (85.3%) dhe komuniteteve të tjera të Kosovës (83.2%) krahasuar me serbët e Kosovës (31.9%) ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë.
Krahasuar me të dhënat e nëntorit të vitit 2023, të dhënat kanë treguar rritje të perceptimit për sigurinë prej 4.5 pikë të përqindjes tek shqiptarët e Kosovës dhe rritje prej 3.2 pikë të përqindjes tek komunitetet e tjera të Kosovës, me ç’rast këto shifra janë evidentuar si 80.8% dhe 80.0% përkatësisht. /Gazeta Enigma