Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të premten e ka kujtuar heroin Enver Zymeri, në 13-vjetorin e rënies së tij heroike.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla thotë se Zymeri u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vjet pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
13 vjet nga rënia në krye të detyrës e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Enver Zymeri.
13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, Heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vite pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Në nderim të sakrificës sublime të Hero Enver Zymerit, prej tre vitesh 26 korrikun e shënojmë si Ditën memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës. Listës së të rënëve, shokëve të tij të lavdisë, këtë vit i është shtuar Heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë me 24 shtator.
Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës.
Lavdi e përjetshme Heroit Enver Zymeri!
Lavdi e përjetshme 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës!