BDI reagon ndaj incidentit të Osmanit në Shkup: Të përfshirët të japin përgjegjësi politike e ligjore

BDI reagon ndaj incidentit të Osmanit në Shkup: Të përfshirët të japin përgjegjësi politike e ligjore

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dënuar incidentin ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, duke e quajtur “incident skandaloz diplomatik”. 

“Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”, thuhet në reagimin e BDI-së. 

BDI-ja skandaloze e ka quajtur edhe përfshirjen në rast të anëtarit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. 

“Involvimi i shefit të sigurimit të kryetarit jolegjitim të Kuvendit Afrim Gashi në incident, duke e thelluar atë, pa pasur asnjë kompetencë, pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vazale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”, thuhet në reagim. 

Për këtë ata e kanë akuzuar koalicionin VLEN. 

“Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pranuan rolin e të nënshtruarit dhe servilit, vetëm për të qenë në pushtet për veten e tyre, duke lënë në mëshirën e VMRO DPMNE-së, fatin e shqiptarëve në vend dhe në rajon. Mungesa e legjitimitetit, por edhe e dijës dhe guximit, të bën të turpërohesh para qytetarëve dhe para motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Uashington e Bruksel”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë se të përfshirët duhet të japin përgjegjësi. 

“Mohimi i incidentit nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, involvimi i paligjshëm dhe anarkik i sigurimit personal të Gashit që nxiti incident edhe më të madh, nuk guxojnë të kalojnë pa përgjegjësi politike bashkë me përgjegjësinë ligjore të të gjithë të involvuarve në këtë skandal diplomatik”, thuhet në reagim.

Osmanit iu tentua t’i merrej telefoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, derisa Presidenca ka thënë se pati tentim edhe të shtyhej fizikisht.

Related Articles