Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së një gruaje nga Graçanica, e cila vdiq sot pas plagëve të marra nga dhuna fizike nga burri i saj.
Haxhiu u shpreh “thellësisht e tronditur”, duke thënë se rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë “realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm”.
“Në mëngjesin e sotëm kuptuam që e ndjera M.Zh ka ndërruar jetë sot në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi bashkëshorti i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së 41-vjeçares nga Graçanica”, shkroi Haxhiu në një postim në Facebook.
“Po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale. Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për një sistem që garanton që çdo rast i dhunës trajtohet me seriozitetin e merituar dhe mbajtjen e dhunuesve e vrasësve përgjegjës”, shkroi tutje Ministrja. /Gazeta Enigma