Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, në vazhdim të seancës së djeshme, ka miratuar sot vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane.
Opozita (PDK, LVV, Nisma, Vatra), e cila dje e braktisi seancën shkaku i këtij vendimi, pas insistimit që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori pjesë as në vazhdimin e saj.
Dje, pas lëshimit të senacës, Riza Abdyli nga PDK ka thënë se nuk e mbështesin një ide të tillë, duke potencuar si pretekst ndryshimin e koeficientit të ndërtimit.
Dje, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka vlerësuar si praktikë aspak të mirë lëshimin e seancës, ndërsa ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për rrënimin e plotë të objektit të komunës dhe pjesës së objektit të policisë, porse sipas tij, një pjesë do të mbetet ashtu siç është, për t’u ruajtuar në memorien kolektive, përfshirë edhe pjesën e burgut famëkeq të Gjilanit.