Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se kjo qeveri “e nisi me shkelje, dhe do ta përmbyllë duke lënë pas kaos në administratë të shtetit”.
Shkrimi i plotë i Tahirit në Facebook
Më 1 shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me Aktgjykimin nr. KO.79/23 mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit nr. 08/L-186 për Paga në Sektorin Publik, ndër të tjera, vendosi që qeveria:
1. Shkeli parimin e sigurisë juridike të punonjësve.
2. Shkeli parimin e barazisë para ligjit duke parashikuar paga dhe kompensime të ndryshme për punë dhe përgjegjësi të ngjashme.
3. Shkeli të drejtën për t’u konsutluar të atyre që preken nga ligji, duke shkelur edhe kërkesat sindikale.
4. E gjithë procedura u zhvillua pa asnjë konsideratë për aspektin dhe kapacitetin financiar e buxhetor, dhe pa asnjë referencë ndaj ligjeve të tjera.
5. Shkeli të drejtën e klasifikimit të pagës si e drejtë pronësore e subjekteve punëmarrëse, e jo si pronë e qeverisë.
6. Duke shkelur të drejtën e pronës, qeveria shkeli parimin se prona mund të preket vetëm në rrethana legjitime dhe të jashtëzakonshme.
Sot, kur kanë kaluar mbi gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë afat qeverisë për t’i korrigjuar këto shkelje, kjo qeveri vazhdon që pasivisht t’i afirmojë shkeljet e veta, sepse nuk ka asnjë interes të bëjë diçka ku nuk sheh hapësirë për ndëshkim dhe penalizim të sektorit publik.
Kjo qeveri e nisi me shkelje, dhe do ta përmbyllë duke lënë pas kaos në administratë të shtetit.