Një grup i grave nga komunat veriore të Kosovës i ka dorëzuar një letër karabinierëve dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash.
Përmes saj, ato kërkojnë që Ura e Ibrit të mos hapet.
Milica Radovanoviq, një nga gratë që e kanë dorëzuar letrën, ka thënë se “letrën e ka dorëzuar si qytetare dhe se nuk përfaqëson asnjë organizatë, institucion apo parti politike”, raporton TV Most.
Në ndërkohë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar sot se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit.
I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit në rast se raporti do të jetë pozitiv, Durmishi nuk ka komentuar një gjë të tillë.
“Kur hapet ura unë nuk e di, por unë mund ta prezantoj raportin sepse detyra ime ka qenë që ta implementojmë një kontratë, e cila ka të bëjë me përcaktimin e stabilitetit të urës mbi lumin Ibër. Dhe këtë po e bëjmë, në momentin që e kemi raportin ne e publikojmë. Mandej se kur hapet ura është çështje tjetër që do të informoheni me kohë dhe për këtë”, shton zëvendësministri Durmishi.