Qytetarët e Kosovës gjatë qëndrimit në njërin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga sot nuk do të paguajnë asnjë çmim shtesë për thirrjet e realizuara telefonike dhe mesazhet e pranuara e të dërguara.
Tarifat e Roamingut i referohen shërbimeve që qytetarët shfrytëzojnë në një shtet tjetër, nga qendra e operatorit të telefonisë mobile ku janë të regjistruar, shkruan Telegrafi.
Sipas tarifave të publikuara nga operatorët vendor, klientët për çdo minutë thirrje telefonike brenda operatorit të njëjtë, paguajnë 13 centë, ndërkaq dërgimi i mesazheve kushton 6 centë. Aktualisht, tarifat shtesë për shërbimet Roaming për thirrje të realizuara për 1 minutë janë 5 centë, kurse për një SMS është 2 centë.
Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) tashmë ka njoftuar për miratimin e Rregullores për zbatimin e politikës së përdorimit të drejtë dhe metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të Roamingut.
Në këtë rregullore thuhet se, “obligohen operatorët e telefonisë mobile në Republikën e Kosovës që të ofrojnë shërbimet me pakicë të rregulluara të Roamingut sipas çmimit të aplikuar në nivel kombëtar për parapaguesit e tij, të cilët zakonisht janë rezidentë ose kanë lidhje të qëndrueshme”.
Këto tarifa do të eliminohen në bazë të marrëveshjes së Roamingut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë). Kjo marrëveshje ishte arritur në prill të vitit 2018, në Samitin e Parë Dixhital të mbajtur në Shkup. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është paraparë të bëhet në dy faza.
Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes për Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet më 1 korrik 2021.
Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.