Kryesia e Kuvendit ka vendosur sot që në javën e ardhshme të mbahet seanca për shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Këtë vendim të Kryesisë ai e cilësoi si goditje e mazhorancës ndaj mediumit publik.
“Më në fund Kryesia e Kuvendit arriti me e pas kuorumin dhe me vendos për seancën e radhës. Ju e dini se për shkak të dy dështimeve të mbledhjeve të kaluara nuk kemi mundur që ta thërrasim seancën e re të Kuvendit. Seanca është caktuar për javën e ardhshme. Pjesë e kësaj seance do të jetë shkarkimi i Bordit të RTK-së, një goditje që mazhoranca po ia jep një medium publik”, ka thënë Tahiri.
Shkarkimin e Bordit të RTK-së, Tahiri tha se do ta kundërshtojnë edhe në seancën e Kuvendit.
“Kjo për ne është e papranueshme. E kemi kundërshtuar edhe sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe do ta kundërshtojmë edhe në seancë. Krejt çka i intereson Albin Kurtit është risistemim i fuqishëm i aktivistëve dhe familjarëve të tyre”, ka thënë Tahiri. /Gazeta Enigma.