Presidentja Vjosa Osmani i ka cilësuar si raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, lidhur me çështjen e rihapjes së Urës së Ibrit, i cili vazhdimisht thotë se kjo temë duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.
I pyetur për këtë deklarim ai nuk ka komentuar direkt deklaratën e Presidentes Osmani, por i ka rikujtuar asaj se është në interesin e Kosovës që të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe do të mbetet vetëm dhe të lihet pas.
“Ne vërtet nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës dhe as për të gjitha komentet e rastësishme që ju po iu referoheni. Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës të dëgjojë të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe njeriu rrezikon të mbetet vetëm dhe të lihet pas”, ka deklaruar Stano për Gazetën Express.
Sipas Stanos, diskutimi i çështjes së urës në kuadër të dialogut, është diskutim rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur, e jo marrëveshje e re. Ka rikujtuar se ky është qëndrim unanim i të gjithë miqve dhe aleatëve.
“Mund të përsëris edhe atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet, të cilat preken nga vendimet specifike. Të trajtosh çështjen e urës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Njeriu me të vërtetë duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, thuhet në përgjigjen e Stanos.
Ndryshe, Osmani deklaroi dje se nuk ka pse të pyetet Serbia për çështjen e urës së Ibrit. Sipas saj, diskutimi i kësaj teme në dialog do të ishte kundër Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës.
“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste, gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”, tha Osmani para gazetarëve.
Qeveria e Kosovës është e vendosur për hapjen e urës, pavarësisht ndërkombëtarëve. Tash e një javë, në urë janë kryer testime e punë të tjera.