Policia sekuestron drogë në vlerë mbi 153 mijë euro

Policia sekuestron drogë në vlerë mbi 153 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar heroinë dhe kokainë në vlerë 153 mijë euro, nga ku nën pranga kanë rënë dy persona, raporton Gazeta Enigma.

Në rastin e parë, në Prishtinë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut nën dyshimin se ka poseduar heroinë për ta shitur.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.”

Policia thotë se atij heroinën ia kanë sjellë dy persona tjerë të cilët më pasë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Të dyshuarit i janë gjetur mbi 6 kilogramë heroinë, në vlerë rreth 150 mijë euro.

“Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).”

Si prova materiale janë sekuestruar dy telefona, një veturë dhe 4305 denarë.

Ai është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.

Aksioni tjetër ishte në Ferizaj, ku policia gjatë kontrollës së një veture është gjetur një pako e cigareve ku kishte 38.62 gramë kokainë, me vlerë rreth 3500 euro.

“Me datën 21.08.2024, pas pranimit të disa informacioneve Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në  brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë. Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.”

Atij i është sekuestruar kokaina, 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.

Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë.

Related Articles