Gjykata deshifroi mesazhet e koduara të grupit të Sekiraqës, Triumfi ishte në përcjellje

Gjykata deshifroi mesazhet e koduara të grupit të Sekiraqës, Triumfi ishte në përcjellje

Aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës ka konstatuar se vrasja e ish-zyrtarit policor, Trium Riza, ishte e planifikuar dhe se kjo rezulton nga mesazhet e dërguara, në të cilat sipas gjykatës kuptohet qartë që Riza po përcillej nga Grupi i Sekiraqës.

Gjykata ka vërtetuar se konflikti i parë mes Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës kishte ndodhur në periudhën e vitit 2000-2001, kur Riza kishte filluar punën si zyrtar policor dhe faktin se po zbatonte ligjin dhe ndaj tani Sekiraqës, raporton Kallxo.com, përcjellë Enigma.

Në Aktgjykimin e saj, Gjykata ka konstatuar se lidhshmëria e Rizës me dëshmitaren A.I. ishte një motiv i radhës për hakmarrje.

“Është në interes të rrjedhës së ngjarjes të specifikojmë edhe njëherë faktin se pas lidhjes së T. me tani dëshmitaren A.I., motivet hakmarrëse të tani akuzuarit E.S. ndaj të ndjerit ishin të qarta dhe sulmet, kërcënimet e përcjelljet nga E.S. personalisht dhe nga grupi i tij tani më nuk kishin të ndalur, sepse dëshmitarët, njerëzit e afër të T. rrëfejnë se intensiteti vetëm sa rritej dhe se rasti i S., ishte indikacion i qartë se vendimi për vrasjen e T. tani më vetëm se ishte marrë nga E.S.” – thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Vetëm tri ditë para se të vritej Riza, personi me inicialet I.A. siç përshkruhet në aktgjykim të anonimiziuar, kishte dërguar një mesazh të koduar tek personi me inicialet Rr.A. duke i thënë se është duke u shëtitur me tashmë dorasin Arben Berisha para lokalit “AM/PM” për atë “shokun” që ishte fjala për përcjelljen e Rizës, pikërisht tek lokali ku prokuroria pretendon se Riza kalonte shumicën e kohës. Në fund të mesazhit të koduar bëhej pyetja se a është Qopa andej, duke ju referuar Sekiraqës.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës, pikërisht në ditën në të cilën ishte vrarë Triumf Riza tek, personi me inicialet F.A. kishte dërguar një mesazh kodues tek personi me inicialet I.A., duke lënë të nënkuptohet që Riza ishte nën përcjelljen e grupit të Sekiraqës.

“Vetura e kojshive është në parkingun e G”“Kojshia” sipas aktgjykimit është fjala për T.R. pasi në çastin kur është dërguar ky mesazh, nga F.A., T.R ka qenë në Hotelin G: së bashku me policin – dëshmitarin B.Sh., ndërsa vetura e T.R ka qenë e parkuar në parkingun e Hotel “G”. F.A. e ka mohuar se ka qenë te ‘Hotel G’ në atë kohë dhe ka përdorur alibinë, se kishte dërguar nënën e tij në Shtëpinë e Shëndetit “Te Xhamia e Llapit”, mirëpo pasi është verifikuar në Shtëpinë e Shëndetit, emri i nënës së F.A. nuk figuronte askund që kishte bërë vizitë mjekësore.

Sipas aktgjykimit vetëm katër ditë para vrasjes më datë 26.08.2007, në ora 22:06 min, F.A. kishte kontaktuar dorasin Arben Berisha duke i thënë “O daj sun rri zon të huj vet kty u a don me dal a jo a” .

Sipas Gjykatës F.A. ishte punëtor tek Sekiraqa dhe i njëjti ishte roje e veturës.

Tutje sipas aktgjykimit po ashtu atë ditë, më 30.08.2007, në ora 14:08 min, Rr.A. ka kontaktuar me I.A. me përmbajtje: “A po vjen ku pinum boronica at dit e pim ka nja”.

Ndërsa në ora 15:00 Rr.A ka kontaktuar me A.B. me përmbajtje “Rri qatu hin mrena se mir je ma von të thirri”.

Gjithnjë sipas aktgjykimit ky mesazh ishte shkëmbyer derisa dorasi Arben Berisha në këtë kohë ka qenë tek “Kompleksi Sante” duke e pritur viktimën Triumf Rizën i cili ishte në kafiteri që ndodhet po ashtu në të njëjtin kompleks.

Pasi Riza, sipas aktgjykimit, del nga kafiteria dhe shkon te vetura e tij, qëllohet me armë zjarri nga tani i dënuari Arben Berisha.

“Në kuadër të shqyrtimit gjyqësorë të datës 11.07.2023, është konsideruar si e lexuar deklarata e dëshmitarit J.T. të dhënë në shqyrtimin kryesor të datës 30.11.2015, detektiv me gradën rreshter në Byron Shtetërore të Hetimeve në Finlandë, dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 30.11.2015, lidhur me rrethanat e ekzaminimit të pajisjes “DVR”, të kamerës së lokalit S, e konfiskuar me rastin e bastisjes së lokalit, si dhe kishte krijuar hartën e lokacioneve të antenave të operatorit Vala, në mënyrë manuale, që tregon numrin mobil të caktuar të përdorur në një periudhë të caktuar kohore, në një zonë të caktuar. Meqë provat materiale, qoftë nga bastisjet, qoftë nga hartografia janë vërejtje të Gjykatës së Apelit, përkitazi me ligjshmërinë e tyre, kjo gjykatë nuk do të lëshohet më tej në elaborimin e kësaj deklarate.” – thuhet në aktgjykim.

Sekiraqa për herë të tretë më 03.05.2024 është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, e cila e ka dënuar me 25 vjet dënim me burgim për shtytje në vrasjen e Rizës.

Gjykata e Prishtinës ka ardhur me konstatim se vrasja e policit Triumf Riza nga i dënuari Arben Berisha ka qenë e shtytur nga Enver Sekiraqa.

“Gjykata ka krijuar bindjen se ditën kritike është shtytur vrasja e T.R nga E.S. ku kishte organizuar nga zyra e tij vrasjen e tani të ndjerit – duke shtytur kështu A.B. që ta privoj nga jeta T.R. për motive e tija të ulëta personale e hakmarrëse”- thotë arsyetimi i aktgjykimit 156-faqësh.Sipas Gjykatës së Prishtinës është specifikuar se pas lidhjes që kishte krijuar Riza me dëshmitaren A.I. ishin bërë të qarta motivet hakmarrëse të Sekiraqës ndaj pjesëtarit të Policisë së Kosovës (atëherë Shërbimi Policor i Kosovës)

Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet në arrati.

Related Articles