Policia e Tiranës ka arrestuar edhe një shtetase kineze.
Ajo akuzohet se drejtonte një rrjet prostitucioni me vajza nga Azia, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Red light 2″”, thuhet në kumtesën e policisë, njofton A2CNN, transmeton Gazeta Enigma.
Si rezultat u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y.Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipinase të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekrutuara. /Gazeta Enigma