Zyrtarët amerikanë njoftuan se planifikojnë të shtojnë opsionin e gjinisë së tretë në pasaporta.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, megjithatë, paralajmëroi se shtimi i një opsioni ndryshe nga meshkujt dhe femrat do të marrë kohë.
Blinken po ashtu njoftoi për ndryshimin e një rregulli, për t’u lejuar njerëzve që të zgjedhin vetë opsionin mashkull ose femër në pasaportën e tyre.
Deri më tash, njerëzve u është dashur certifikatë e mjekut për të shënuar gjininë e tyre ndryshe nga ajo që u figuron në certifikatën e lindjes.
Blinken tha se Departamenti i Shtetit do të punojë me agjencitë e tjera “për të siguruar përvoja sa më të mira të udhëtimit” dhe shtoi se “njerëzit mund të ndjekin përparimin e ndryshimeve në një ueb-faqe të Departamentit të Shtetit”, shkruan rel.
“Me këtë veprim, unë shpreh angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj komunitetit LGBTQI+”, tha Blinken.
Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, emëroi një të dërguar të posaçëm për të çuar përpara të drejtat e komunitetit homoseksual në të gjithë botën.
Në botë janë tashmë disa vende që kanë mundësi të tjera, përveç vendosjes së gjinisë mashkull ose femër, në dokumentet zyrtare.
India, Pakistani dhe Nepali kanë mundësi të mos vendosin as opsionin mashkull, as femër në pasaporta, ndërsa Holanda ka lëshuar pasaportën e parë neutrale sa i përket gjinisë në vitin 2018.