Fshati Maliq i rrethit të Korçës u trondit këtë të premte nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në një kënd lojërash.
P.L., 71 vjeç, banues në fshatin Sheqeras të Korçës, ka tentuar të abuzojë me një 9-vjeçare.
Ishte një banore që arriti të ndërhynte në kohë dhe të shpëtonte të miturën nga duart e autorit.
Ajo deklaroi në polici se ai e ngacmonte prej ditësh të miturën duke i thënë se do t’i jepte para.
“Ishte mesditë rreth orës 13:30, pashë nga larg një situatë të sikletshme. Ai kishte shkuar në këndin e lojërave në shkollën e fshatit dhe kishte marrë me vete edhe vajzën e mitur. Të dy i njoh se janë banorë të fshatit, shkoj menjëherë aty për të parë çfarë po ndodhte sepse nga larg nuk isha shumë e sigurt. Kur shkoj aty pashë tmerr me sy, të moshuarin e pashë gjysmë të zhveshur edhe vajzën gjithashtu”.
“Ishte gati për të kryer marrëdhënie seksuale, po e tërhiqte vajzën e mitur drejt vetes, unë nuk e lashë, e mora vajzën direkt. Shyqyr që nuk ndodhi asgjë, vajza është shumë mirë përveç se ka pësuar traumë nga ngjarja. 71 vjeçarin e goditi dy herë me grusht edhe një banor tjetër pasi mësoi për ngjarjen”, tha dëshmitarja, raporton Top Channel, transmeton Gazeta Enigma.
Nga ana tjetër, sipas burimeve nga policia, po hetohet nëse 71-vjeçari e kishte ngacmuar edhe herë të tjera dhe nëse i ka ofruar lekë vajzës pasi sipas banorëve vajzën e ka ngacmuar për ditë me radhë duke i thënë se do t’i jepte lekë.
I moshuari është arrestuar pas veprimit të rëndë të kryer në një ambient publik, ku fëmijët kalojnë kohën e lirë.