Policia e Kosovës ka zhvilluar operacion në katër komunat në veri të vendit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, qellim i operacionit ka qenë vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se janë mbyllur komuna paralele ilegale, të cilat funksionin nën direktiva të shtetit të Serbisë, duke cenuar kushtetueshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit. Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash” shkroi Krasniqi në Facebook.
Burimet e Indeksonline pohojnë se policia ka konfiskuar disa kompjuterë në disa prej komunave veriore. Kompjuterët janë gjetur pa hardisk, ndërsa disa nga komunat tjera kanë qenë të zbrazëta dhe pa dokumente.
Të njëjta burime bëjnë të ditur se këto komuna janë vetëdorëzuar, duke e kuptuar se janë duke vepruar ilegalisht.