Qeveria Kurti në 100 ditëshin e punës nuk ka shënuar ndonjë rezultat që do ta bënte të dalluar nga qeveritë e kaluara, përkundrazi e ka kultivuar nepotizimin në institucione, kështu po vlerësojnë analistët kosovarë, raporton Gazeta Enigma.
Shemsi Jashari ka thënë në një intervistë tha se në 100 ditëshin e punës së kësaj qeverisje ka munguar programi dhe plani i veprimit.
Poashtu sipas Jasharit pritshmërit kanë qenë më të mëdha se sa rezultatet që kemi parë këto ditë.
“Qeveria Kurti erdhi me një numër të madh të votave me një shumicë, ku vet ka pasur mundësi t’i krijoj institucionet dhe për të vendosur për gjithçka. Është një Qeveri që për nga numrat është më stabilja që nga paslufta për shkak se nuk varet nga subjektet tjera politike, nuk ishte dashtë të ketë rivalitete të brendshme që shpesh kanë penguar procese të ndryshme. Por ajo që kemi parë në këto ditë 100 ditë të Qeverisë Kurti pritshmëritë kanë qenë shumë më të mëdha se sa rezultatet që po i shohim. Kemi parë që me formimin e Qeverisë dhe me fillimin e punës së saj një mungesë programi edhe një plan veprimi se çka saktë do të bëj kjo Qeveri. Për këto 100 ditë kemi parë një konfuzion në raport me punën e secilit institucion që ka marr në drejtim Qeveria Kurti”, është shprehur ai.
Tutje Jashari ka thënë se kjo Qeveri nuk dallon shumë prej qeverive të kaluara, pasi që përkundër që ka pasur kritika për nepotizëm vet ka emëruar njerëz të afërt në institucione.
“Kemi parë një numër të madh dhe një fokusim në ndërrimin e krerëve të institucioneve, shkarkime bordesh të caktuara. Emëruesi më i përbashkët që mund të jetë në punën e kësaj Qeverie është që ka pasë shumë më shumë shkarkime sesa punë që mund të numërohen në këto 100 ditë. Kjo Qeveri po tregon që nuk dallon shumë prej qeverive të kaluara, kritika kryesore mbi bazën e të cilës është ndërtuar edhe i gjithë opozitarizmi i Lëvizjes Vetëvendosje e që ka qenë lufta kundër nepotizmit dhe dukurive tjera negative po i shohim edhe me emërimet në borde e institucione të caktuara. Vazhdimisht dalin njerëz që janë të lidhur me njerëz të fuqishëm brenda LVV-së, nipi, daja e tezja, diçka që ka qenë karat kryesore mbi të cilët qytetari i ka ndëshkuar qeveritë e kaluara, as kjo qeveri s’po mund të jetë imune ndaj këtyre veprimeve” ka shtuar ai.
Ai ka konsideruar se ka përqarje të aktivistëve të LVV-së nëpër qendra e komuna të caktuara pasiqë dyndja e madhe e njerëzve drejt kësaj partie ka bërë që të lindin interesa të mëdha.
“Në aspektin e rezultateve tjera të prekshme, qytetari ka pritur shumë më shumë. Qytetari ka pritë luftën ndaj dukurive negative, korrupsionit dhe temave tjera të ndjeshme e irrituese nuk është se kemi parë diçka përveç një heshtje nga publiku të zotrit Kurti, duke mos qenë i pranishëm në medie. Kemi parë një fillim të përqarjes së aktivistëve të LVV-së nëpër qendra e komuna të caktuara pasiqë dyndja e madhe e njerëzve drejt VV-së ka bërë që të lindin interesa të mëdha. Ka pasë shumë premtime por kemi pak rezultate në raport me zotimet sidomos për dialogun duke qenë atje prioritet i pestë e gjashtë, del që është prioritet i parë. Qeveria Kurti duhet shpejt të marr vetën, të jetë konkret dhe të ikë nga ai fjalori i fushatës sa ishte në opozitë”.
Edhe analisti, Shkodran Ramadani në një intervistë ka pohuar se luftimi i nepotizimit nuk është pikë e fortë me të cilën mund të krenohet Qeveria Kurti.
Sipas tij, edhe kjo qeveri në masë të madhe e ka vazhduar këtë dukuri.
“Periudha prej 100 ditësh është e shkurtër për të dhënë një vlerësim adekuat dhe të saktë për përformancën e Qeverisë Kurti, për shkak se nuk vlejnë të njëjtat kritere sikur për qeveritë e kaluara sidomos për dy-tri qeveritë e kaluara për shkak se nuk është thjeshtë veç një Qeveri dhe kryeministër i ri por kemi të bëjmë me një cikël të ri politik, impakti dhe ndikimi i të cilit mbetet me u pa dhe vlerësuar në muajt në vazhdim. Por nëse vlerësojmë vendim pas vendimi gjatë këtyre 100 ditësh atëherë sigurisht që mund të gjejmë edhe shumë vërejtje tek performanca e Qeverisë Kurti, për shkak që përveç shkarkimeve të shumta që ka bërë në borde dhe institucione tjera publike, ata gjithashtu kanë shfrytëzuar postet e lira dhe kanë emëruar persona të shumtë të cilët kanë qenë të lidhur familjarisht edhe shoqërisht e format tjera me zyrtarët e lartë të Qeverisë Kurti, prandaj nepotizmi nuk është një pikë e fortë me të cilën mund të krenohet Qeveria Kurti për ndonjë arritje për shkak se në masë të madhe e ka vazhduar kulturën e nepotizmit e cilave është kultivuar për gjatë viteve nga Qeveritë e kaluara papërjashtim”, është shprehur ai.
Gjithashtu Ramadani ka vlerësuar se kjo Qeveri kujdes të veçantë duhet t’i kushtoj vaksinimi pasiqë është vendi i fundit në rajon sa i përket numrave dhe përqindjes së popullsisë së vaksinuar.
“Gjë tjetër që mund të vërehet në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti është fakti që përkundër asaj që ka premtuar që dialogu nuk do të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë, megjithatë ai shihet që është lartë në agjendën e kryeministrit, për shkak se edhe nëse zotëri Kurti nuk e ka prioritet dialogun, dialogu e ka prioritet atë pasi është temë të cilën nuk mund t’i ikë dhe partnerët e Kosovës, bashkësitë ndërkombëtare janë duke ushtruar një presion të vazhdueshëm për atë që ata e quajnë vazhdim të dialogut e të cilën zotëri Kurti e quan si nisje të dialogut të ri. Besoj që Qeveria duhet të i kushtojë më shumë rëndësi çështjes së vaksinimit për shkak që Kosova është e fundit në rajon sa i përket numrave dhe përqindjes së popullsisë së vaksinuar”, ka përfunduar ai./Gazeta Enigma/