Të paktën shtatë persona humbën jetën nga sulmet ruse në qytetin ukrainas të Lvivit gjatë natës, një ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse me raketa që nga fillimi i luftës.
Kryebashkiaku i Lvivit, Andriy Sadovyi tha të mërkurën se Lvivi i sulmua me raketa dhe dronë, duke shkatërruar më shumë se 70 shtëpi.
“Lvivi u vu në shënjestër të një sulmi të kombinuar me raketa dhe dronë. Banesat në dy lagje të Lvivit u goditën, gjithsej më shumë se shtatëdhjetë shtëpi. Shumica e tyre janë monumente arkitekturore, kështu që restaurimi do të ndjekë një protokoll të veçantë. Ne e dimë se ç’duhet të bëjmë por dhimbja më e madhe është humbja jetës”, tha ai.
Guvernatori rajonal Maksym Kozytskyi tha në aplikacionin e mesazheve Telegram, se mes të vrarëve ishin dy vajza, 9 dhe 14 vjeçare.
Shërbimet e Urgjencës Shtetërore të Ukrainës thanë se numri i të plagosurve ka arritur në 52.
Ndërkaq, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dha dorëheqjen të mërkurën, pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy la të kuptohej javën e kaluar se së shpejti do të bënte ndryshime në Qeveri.
Kuleba ka qenë një nga personalitetet më të njohura të Ukrainës në skenën ndërkombëtare.