Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se “nesër do të shkonte në Mitrovicë” nëse këtë do t’ia lejonin forcat shqiptare dhe ato ndërkombëtare.
“Shkuarja atje nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre”, tha ai dhe shtoi se do të shkonte jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat me serbë në Kosovë.
Më tej, siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka vazhduar me retorikën e tij duke thënë se “është shumë i pikëlluar dhe i pakënaqur për atë që po ndodh në Kosovë dhe për atë që po sheh se dikush nuk dëshiron paqe” dhe shtoi se “nuk dëshiron t’i japë mundësinë për të marrë pjesë në persekutimin dhe përndjekjen e popullatës sonë”.
Ai i përmendi si pozitive shifrat se në fillim të vitit të ri shkollor në Kosovë, në shkollat që punojnë me sistemit arsimor serb, kanë filluar mësimin 1081 nxënës të klasës së parë nga gjithsej 9,700 nxënës të shkollave fillore.