Kritikat nga Stano, Vulin: Edhe një president nga BE është takuar me Putinin

Kritikat nga Stano, Vulin: Edhe një president nga BE është takuar me Putinin

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vulin, iu është kundërpërgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stanos, pasi që ky i fundit hodhi kritika ndaj Vulinit për takimin që bëri me presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Stano parashtroi pyetjen se “në emër të kujt flet Vulini” pasi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka përsëritur se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE.

E Vulini iu drejtua Stanos me pyetjen e njëjtë, se “në emër të kujt po flet Stano”.

“Nuk e di në emër të kujt flet zoti Stano kur kritikon takimin tim me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, pasi edhe presidenti i BE-së, Viktor Orban ka pasur një takim me presidentin Putin. Dhe veçanërisht i kërkoj zëdhënësit të BE-së që të mos të përdor termat agresion, të drejtën ndërkombëtare apo Kartën e OKB-së. Pas vitit 1999 dhe agresionit të paktit të NATO-s ndaj Serbisë, pas nëpërkëmbjes së Rezolutës 1244 dhe njohjes së të ashtuquajturës Kosovë, keni humbur çdo të drejtë të flisni për moralin apo të drejtën ndërkombëtare”, tha Vulin.

“Hipokrizia juaj ngjall edhe tallje edhe neveri”, shtoi ai.

Ai tha më tej se është ndjerë “krenar” që ka pasur mundësinë të takojë presidentin Vladimir Putin dhe se pret “çdo mundësi për të takuar një mik të Serbisë dhe një udhëheqës me aq mençuri dhe integritet”.

“Dhe mos ngurroni të më ftoni në Bruksel, do të vij, dhe e vërteta që do t’ju them mund të mos ju pëlqejë, por do të jetë shëruese”, tha zëvendëskryeministri i Serbisë.

Gjatë takimit që Vulini dje e zhvilloi me Putinin, ai është ankuar për “spastrimin etnik” të serbëve nga Kosova.

Related Articles