Bllokada nis nesër, në secilën pikë kufitare do jenë së paku 400 njerëz, paralajmrojne autoritetet serbe

Bllokada nis nesër, në secilën pikë kufitare do jenë së paku 400 njerëz, paralajmrojne autoritetet serbe

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka thënë se bllokada e paralajmëruar në pikat kufitare me Kosovën do të nisë nesër nga ora 18:00.

Rojeviq, për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka bërë të ditur se bllokadat do të organizohen në katër nga pesë kalimet kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi me Kosovën.

“Bllokada do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës dhe institucionet e uzurpuara t’u kthehen serbëve. Gjithashtu kërkojmë nga KFOR-i që në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se në pikat kufitare ku do të organizohen bllokadat do të mund të kalojnë vetëm automjetet spitalore dhe të gjitha automjetet dhe udhëtarët që posedojnë dokumente serbe. “Nëse në Kosovë nuk vlejnë dokumentet serbe, atëherë as në Serbinë qendrore nuk mund të vlejnë dokumentet e të ashtuquajturës Republikë e Kosovë”.

“Do t’i bllokojmë vendkalimet kufitare në Bërnjak, Jarinjë, Merdarë dhe atë në Kullë. Vendkalimi në Konçul nuk do të bllokohet tani për tani”.

Rojeviq shtoi se do të jenë të paktën nga 400 persona të cilët do të marrin pjesë në bllokadat kufitare.

Related Articles