Vuçeviq: Agjendë të vetme zgjedhore, Kurti ka sulmin ndaj serbëve

Vuçeviq: Agjendë të vetme zgjedhore, Kurti ka sulmin ndaj serbëve

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se homologu i tij kosovar, Albin Kurti, nuk ka agjendë tjetër politike para zgjedhjeve përveç sulmit ndaj serbëve dhe shtoi se çështja e Kosovës nuk ka zgjidhje pa Serbinë.

Siç raportojnë mediat në Serbi, ai ka thënë se Kurti është “nxënës i Adem Demaçit” dhe se, sipas tij, ata janë njerëz që janë të gatshëm të kalojnë jetën në burgje vetëm për të realizuar ëndrrën e tyre, që është, sipas tij, “Shqipëria e madhe”.

“Na pret një muaj i vështirë sepse Kurti po shkon në zgjedhje, shqiptarët kanë zgjedhje. Mendoni se ai ka diçka për të ofruar? Se mund të hapë një qendër kulturore? Përveç sulmit ndaj serbëve, dhe kjo është e gjithë agjenda e tij politike. Ai jeton për të”, tha Vuçeviq.

“Ai është nxënës i Adem Demaçit, këta janë njerëz që kanë qenë gati të jenë në burg gjithë jetën për të arritur qëllimin e tyre, ëndrrën, që është Shqipëria e madhe. Ai jeton për të”, shtoi ai.

I dyti i Serbisë tha se “serbët duhet të besojnë se Kosova nuk është e humbur” dhe se “ne duhet të jetojmë që Kosova të jetë pjesë e Serbisë dhe t’i mësojmë fëmijët tanë për këtë”.

“Askush nuk duhet të thotë kurrë se diçka ka humbur. Ajo që nuk dorëzohet nuk humbet kurrë. Dhe historia se ajo çështje është zgjidhur, nëse është kështu, pse po i bëni presion Serbisë çdo ditë? Nëse e gjithë është zgjidhur, çfarë po ju duhet Serbia? Nëse çështja e Kosovës është zgjidhur, çfarë ju duhet Serbia? Nuk ka zgjidhje pa Serbinë. Duhet të flasim për Kosovën dhe Metohinë, që fëmijët tanë të mësojnë se çfarë është Prizreni, të mësojnë se çfarë është Deçani, çfarë është Graçanica dhe Patrikana e Pejës. Të mësojnë se atje jetojnë edhe njerëzit tanë, se aty është djepi ynë. Jo që të përgatiten për luftëra, jo që të përgatiten të urrejnë dikë, por të respektojnë vetveten”, ka deklaruar kryeministri serb.

Related Articles