Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga një grup i vogël njerëzisht, shkruan Enigma.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare në Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar në Jarinje, Radio Evropa e Lirë raporton se situata është e qetë dhe se automjete kryesisht me targa serbe shihen duke kaluar kufirin në të dyja anët.
Sipas REL në pjesën serbe të kufirit në Merdarë, veturat me targa serbe mund të kalojnë pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës po ndalohen dhe kontrollohen për të parë nëse kanë dokumente serbe.
Por, kamionët janë duke u ndaluar pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.