Qarkullimi në pikën kufitare Jarinjë, po vazhdon normalisht, teksa ajo në Merdare dhe Bërnjak, me vendim të Qeverisë, janë ende të mbyllura për lëvizje, shkruan Gazeta Enigma.
Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“S’ka ndryshim”, thotë Elshani, duke iu referuar edhe deklaratave të tij të mëhershme, ku ka treguar se “qarkullimi në Jarinje po vazhdon normalisht”.
Ndërkohë, në mëngjes Elshani ka njoftuar për situatën që ka qenë gjatë natës në pikat veriore.
“Situatë e qetë, pa incidente”, ka thënë Elshani.
Ndryshe, dy pikat tjera kufirtare, Bërnjaku dhe Merdarja – vazhdojnë të jenë të mbyllura, ashtu siç ka konfirmuar mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Fillimisht mbrëmë u mbyllë pikëkalimi në Bërnjak. Sveçla tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Sveçla.
Pas mesnatës, ai njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.
“Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë transit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdare. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, shkroi Sveçla.
Pikëkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve, Dhei i Bardhë, Mutidovë dhe Muçibabë, janë të hapura.
Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.