Serbia, përgjegjëse për financimin e grupit terrorist të Banjskës

Serbia, përgjegjëse për financimin e grupit terrorist të Banjskës

45 personat serbë e rusë që morën pjesë në sulmin terrorist të shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, u financuan nga shteti serb, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës.

“Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan Radoiçiq është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit serb”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria e Kosovës pretendon se Serbia ndër të tjera i ka ofruar Radoiçiqit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve.

“Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës. Skema e fuqizimit ekonomik përmes grumbullimit të fondeve me qëllim të financimit të terrorizmit në Kosovë për të pandehurin Milan Radoiçiq është bërë përmes hapjes së bizneseve në mënyrë ligjore me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave apo maskimit të origjinës së parave, që në sytë e publikut dhe autoriteteve zyrtare të duket gjithçka e ligjshme. I pandehuri Milan Radoiçiq, ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte në cilësi të pronarit në biznese dhe në mënyrë indirekte”, thuhet në aktakuzë.

“Përveç fuqizimit dhe përkrahjes politike, më qëllim të ushtrimit të ndikimit te pjesa e popullatës civile serbe, të pandehurit Milan Radoiçiq i ishte ofruar edhe përkrahje duke e vendosur në pozita kyçe me qëllim të krijimit të figurës kryesore në veri dhe përmes këtyre pozitave të kontrollohen qytetarët e kësaj pjese të Kosovës. Pozitat të cilat i kishte mbajtur i pandehuri Milan Radoiçiq ishin nënkryetar i partisë ‘Lista Serbe’, kryetar i të ashtuquajturës ‘Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë’ në sistemin paralel të Serbisë dhe kryetar i të ashtuquajturës ‘Klubi Trepça’ në sistemin paralel të Serbisë”, është thënë tutje.

Tutje thuhet sse nga dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, si armatimi, veturat, dronët, uniformat, e një sërë raportesh, dokumentesh e përgjigjesh të marra nga institucione të ndryshme, “janë provuar faktet të cilat përshkruajnë në mënyrë të saktë, fuqizimin, mënyrën e grumbullimit të mjeteve financiare me qëllim të financimit të terrorizmit e deri tek shpëlarja e parave përmes konvertimit të pasurisë së fituar me aktivitet kriminal në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, e të pandehurit Milan Radoiçiq”.

“I pandehuri Milan Radoiçiq në emër të kryerjes së akteve të ndryshme të dhunës, ndikimit financiar në grupin e tij, drejtimit të personave të tjerë në kryerjen e akteve të dhunshme, ka grumbulluar mjete financiare, ku këto mjete financiare i ka përdorur për kryerjen e pagesave të pjesëmarrësve të grupit , blerjen e pajisjeve logjistike duke përfshirë armatim të rëndë, vetura të blinduara, dronë, uniforma ushtarake për grupin terrorist, si dhe çdo pajisje tjetër ushtarake të nevojshme për qëllim të kryerjes së veprave terroriste”.

“Pasqyra e tërësishme e operimit të të pandehurit Milan dhe përkrahja që i është ofruar, ka krijuar një fuqi të madhe në kontrollimin e pjesës së veriut përmes aktivitetit kriminal. Këtë ndikim theksohet se e ka përdorur si instrument për të luftuar rendin juridik kushtetues të Kosovës përmes akteve terroriste dhe për nevojat e tij personale”.

Sipas një skeme të paraqitur në aktakuzë, veprimtaria kriminale e Radoiçiqit është financuar nga dy burime kryesore, “duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës dhe nga shteti i Serbisë”.

“Forma e parë e financimit duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovë dhe Metohi’”, thuhet në aktakuzë.

Related Articles