Osmani pas çmimit “M100 Media Award”: Kosovarët përjetuan dhimbjen që sot e kanë ukrainasit

Osmani pas çmimit “M100 Media Award”: Kosovarët përjetuan dhimbjen që sot e kanë ukrainasit

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur falënderuese nga zemra për çmimin për media të njohur si “M100 Media Award” që e mori në Potsdam të Gjermanisë.

Ajo fjalimin e saj e nisi duke thënë se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë janë gjenerata e parë që janë rritur pa luftë dhe ndjenjën e saj.

Osmani ka përmendur edhe dhimbjen që e ka populli i Ukrainës derisa janë duke përjetuar luftën e nisur nga Rusia.

“Mbrëmë, lexova një rresht nga një libër që më dhanë dhuratë dje në Varshavë. Aty thuhej: “Çdo brez fëmijësh… i ofron njerëzimit sërish mundësinë për të rindërtuar rrënimin e tij të një bote”. Më kujtoi se brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, fëmijët tanë, janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë që u rrit pa luftë. Dhe ne duhet të sigurojmë, duhet të sigurojmë bashkërisht, që ata kurrë të mos e njohin të kundërtën e paqes dhe të kundërtën e demokracisë. Ne duhet të sigurohemi që ata të mos kalojnë kurrë atë që ne duhej ta kalonim”.

“Vetëm vitin e kaluar, isha e ulur në audiencë duke parë teksa po i jepnit çmimin M100 popullit të Ukrainës. Paraprakisht u shfaq një video. Një që përshkruan dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shtëpive të stërgjyshërve të tyre, por gjithashtu tregon guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për të lirinë dhe demokracinë, me çdo gjë që duhet”, është shprehur Osmani.

Më tej, ajo ka theksuar se kosovarët e ndjejnë dhimbjen që sot ukrainasit e përjetojnë.

“Por siç ndodh me të gjithë që vijnë nga Kosova, kur shikojmë këto video të Ukrainës, nuk është thjesht një ndjenjë e largët apo për ndonjë nocion abstrakt i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe domosdoshmërisë për mbrojtjen e tyre. Për ne, është një tmerr i rijetuar, një dhimbje e ndjerë vazhdimisht, një plagë shumë e thellë, por një plagë që nuk na ka penguar kurrë të bëhemi të mbijetuar që lulëzuan”.

“Ne ishim në vendin e tyre, ishim në pozitën e tyre, pamë shkatërrimin dhe vuajtjen që sjell e kundërta e demokracisë, prandaj sot jemi kaq të përkushtuar, kaq të palëkundur dhe kaq të vendosur për të luftuar çdo betejë dhe për ta paguar me çdo çmim sigurimin e mbijetesës dhe suksesit”.

“Populli ynë do të jetë gjithmonë fanar i demokracisë – sepse ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh pa të. Dhe kjo nuk është bota që duam. Misioni ynë, në këtë jetë, është të sigurohemi që edhe fëmijët e tanë të mos ta trashëgojnë atë botë”, ka thënë Osmani.

Related Articles