Vajzën e tij e çonte në gara ndërkombëtare, Kryetari i Federatës së Notit pezullohet për katër vjet

Vajzën e tij e çonte në gara ndërkombëtare, Kryetari i Federatës së Notit pezullohet për katër vjet

Kryetari i Federatë së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, është pezulluar për katër vjet nga të gjitha aktivitetet sportive, pasi Federata Botërore e Sporteve të Ujit (IWSF) gjeti se i njëjti ka kryer diskriminim në baza personale dhe raciste, kështu duke e dërguar në gara ndërkombëtare “Fukuoka 2023” dhe “Doha 2024”, të bijën e tij, Eda Zeqirin, ani se e njëjta nuk i plotësonte kushtet, ose thënë më mirë, notarja Hana Bejiqi ishte përpara saj me pikë.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Zeqirin që të bëjë favore, i cili po ashtu ka bërë diskriminim ndaj notarit tjetër, Adell Shaboviq, duke e kërcënuar të njëjtin e duke dashur t’ia pamundësojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Në vend të Shaboviqit, synimi i Zeqirit ishte që në Olimpiadë ta dërgonte notarin Mal Gashi.

Zeqiri po ashtu është dënuar me një gjobë prej 25 mijë eurosh.

“Shefi i Etikës i Njësisë së Integritetit të Ujit (CECO), pasi analizoi dhe shqyrtoi të gjitha dokumentet relevante dhe në përputhje me nenin 21 të Kodit të Integritetit të Ëorld Aquatics, ka vendosur t’ju pezullojë përkohësisht, duke qenë se besimi i publikut në integritetin e sportit të ujit është në rrezik”, thuhet në njoftimin e IWSF-së.

Pavarësisht se në dhjetor 2023 ishte pranuar si përfaqësues i Kosovës nga FNK-ja, Shaboviqi menjëherë hasi në pengesa për ta përfaqësuar vendin e prejardhjes.

Në një njoftim, CECO tha se federata e drejtuar nga Zeqiri nuk e lejoi Shaboviqin të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Notit në Doha në fillim të këtij viti, edhe pse ai kishte më së shumti pikë nga federata botërore.

Pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) ndaj vendimit të FNK-së, Shaboviq dyshohet se u kërcënua me pezullim apo përjashtim nga federata kosovare, sipas CECO.

“Për më tepër, duket se kishte edhe tentime për ta penguar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Lojërat Olimpike 2024 në Paris”, tha CECO.

“Në lidhje me këtë, ju dyshohet se thirrët konferencë për shtyp për ta kundërshtuar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Paris 2024, për më tepër, duke ndikuar në opinionin publik. Në këtë kontekst, duket se atij i referoheshin edhe me fjalë diskriminuese si, ‘serb’ apo ‘rus’, duke iu referuar etnisë së tij”, tha CECO.

World Aquatics i kishte dërguar email Komitetit Olimpik të Kosovës në qershor, duke i treguar se dy notarët me më së shumti pikë të grumbulluara janë Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi dhe se ata do të merrnin ftesë për pjesëmarrje në Paris 2024.

Shaboviq dhe Hana e përfaqësuan Kosovën në Paris 2024 në fund.

Në lidhje me akuzën për pezullim me katër vjet dhe gjobë prej 25.000 eurosh, World Aquatics tha se Zeqiri ka kohë deri më 20 qershor për t’u përgjigjur, ose vendimi do të hyjë në fuqi.

Zeqiri mund ta pranojë akuzën dhe t’i pranojë pasojat dhe dënimin, apo ta pranojë akuzën dhe ta kundërshtojë atë në një organ gjyqësor, i cili do të vendoste për dënimin ndaj tij, thuhet në njoftim.

Ai mund gjithashtu ta mohojë akuzën dhe pastaj organi gjyqësor do të vendosë për dënimin dhe pasojat me të cilat duhet të përballet ai.

Related Articles