Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen e lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku me të dëmtuarin Hekuran Murati, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi është marrë më 2 shtator 2024, përmes së cilit gjykata po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

“HUDHET aktakuza e PTH-së në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, PP.II.nr.4413/23, të dt.24.10.2023 dhe PUSHOHET procedura penale kundër të pandehure B. B., M. L. dhe H. B., për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, për të pandehurin H. B. edhe për shkak të veprës penale Asgjësimi, apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë nga neni 185 par.1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në këtë vendim thuhet se marrëveshja e arritur në mes palëve të lartcekura është aprovuar konform nenit 248 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me nenin 2 paragrafi 2 dhe nenin 15 paragrafi 1 të Ligjit për Ndërmjetësim.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për aktakuzën e ngritur ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut, gjykata më 25 maj 2024 ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, ku me propozimin e palëve në procedurë është vendosur që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën për Ndërmjetësim në Prishtinë, ku dhe në këtë qendër është arritur marrëveshja në mes palëve në procedurë.

“Andaj gjykata duke vepruar konform dispozitave nga neni 2 par.2 dhe neni 15 par.1 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009, më dt.02.09.2024, e aprovoi këtë marrëveshje pasi që të njëjtën e vlerësoi se është lidhur me vullnetin e plotë të palëve në konflikt dhe në pajtim me ligjin në fuqi, konform nenit 8 par.7 të Ligjit të Ndërmjetësimit, me datën e aprovimit nga Gjykata, përkatësisht nga dt.02.09.2024, kjo marrëveshje do ta ketë fuqinë e titullit ekzekutiv”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Ndërsa, shpenzimet e procedurës penale sipas këtij vendimi bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Se një marrëveshje e tillë ishte arritur mes palëve, më 14 gusht 2024 e kishte konfirmuar edhe avokatja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, Besjana Ismajli.

Deri tek kjo marrëveshje ka ardhur pasi në seancën e datës 28 maj 2024 Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu ishin pajtuar që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim.

Pajtimi i palëve që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, kishte ardhur pasi gjykatësi i rastit Eroll Gashi ua propozoi një gjë të tillë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj kishte thënë se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu kishte thënë se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mërgim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e kishte mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, ishte pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim ishte pajtuar edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

Për çka akuzohej zëvendëskryeministri Besnik Bislimi?

Sipas aktakuzës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzohej se gjatë seancës plenare të 13 korrikut 2023, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, pasi ky i fundit i kishte hedhur ujë Bislimit.

Sipas Prokurorisë, Lushtaku këtë e kishte bërë në shenjë revolte pasi i akuzuari Bislimi paraprakisht e kishte hequr një foto të Kryeministrit Albin Kurtit të paraqitur në formë të “Pinokios”, e vendosur paraprakisht nga disa deputetë. Pasi kishte hedhur ujë Lushaku në drejtim të Kryeministrit dhe më pas të Bislimit, thuhet se Bislimi në shenjë revolte e kishte gjuajtur me shishe Lushtakun, e më pas me dashje e kishte goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku, veprime të cilat shihen nga kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit.

Me këtë, Bislimi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, sipas nenit 184 par.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohej deputeti Mërgim Lushtaku?

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi se i pandehuri Mërgim Lushtaku më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi. Aty thuhet se pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, i pandehuri Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht Bislimin, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë që gjenden brenda sallës së Kuvendit.

Me këtë, Lushtaku akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas nenit 184, patr.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohej deputeti Hajdar Beqa?

Kurse, i pandehuri Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë seancës plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati. Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Murati kishte parë se deputeti Lushtaku kishte hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, i njëjti ishte ngritur në këmbë për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Kryeministrit dhe atëherë i pandehuri me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Murati, duke e goditur me grusht në fytyrë mbi vetull, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë në Kuvend.

Me këtë, Beqa akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Beqa, më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit gjatë seancës plenare, i revoltuar nga situata e krijuar mes deputetëve të PDK-së dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, me dashje që t’i shkaktojë dëm material të dëmtuarit Hekuran Murati, të njëjtit me forcë nga fytyra ia ka tërhequr syzet e tij, e më pas i hedh në tokë, duke ia dëmtuar ato, duke i shkaktuar dëm material në vlerë të pacaktuar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.

Për çka akuzohej deputeti Bekim Haxhiu?

Gjithnjë sipas aktakuzës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, akuzohej se në seancën e Kuvendit, në të njëjtën datë, kishte përdorur forcë fizike, ndaj tani të dëmtuarit Hekuran Murati, kjo pas situatës së krijuar mes deputetit Mërgim Lushtaku dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, Haxhiu akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas nenit 185, par.1, pika 1.4 të Kodit Penal.

Me këtë aktakuzë, është propozuar që gjatë administrimit të provave të nxjerrën dhe shikohen si prova: një CD me video-incizime nga regjia në Kuvend, CD-ja me video-incizime nga Kuvendi më 13 korrik 2023, një CD me video-incizime të marrë nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit, foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës penale, raportin mjekësor, mendimin e ekspertit mjeko-ligjor dr. Naim Uka.

Përmes aktakuzës së ngritur nga prokurorja Nebahate Salihu, propozohet që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Kodit dhe të njëjtit të obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale.

Related Articles