Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të mërkurën paradite bashkëbiseduan me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me në krye koordinatoren Arnhild Spence, ku i njoftuan për “progresin që ka arritur vendi në tri vjet qeverisje”.
Tema të diskutimit, sipas njoftimit, ishin prioritetet dhe projektet e Qeverisë dhe bashkëpunimi me këto agjenci në avancimin e tyre.
“Që një vit tani, Qeveria e Republikës së Kosovës ka gjetur zgjidhje të ligjshme për bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, që mbron sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës. Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe sjell bashkëpunim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, punësimit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e digjitalizimit të shërbimeve. Në veçanti, është diskutuar për bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes ndaj bizneseve e turizmit, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë. Po ashtu, është diskutuar për zhvillimin e transportit urban për lidhjen më të mirë ndërmjet lagjeve e qyteteve”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri, siç thotë njoftimi, i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se trevjeçare të Qeverisë dhe progresin e arritur i cili “është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”:
“Përmendi mes tjerash krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës edhe përmes platformës “Superpuna”, rritjen e punësimit për gratë, ku me masat e qeverisë u mbështet punësimi i mbi 12 mijë grave. Ai shtoi se edhe në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë. Kryeministri i falënderoi përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara për bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët dhe bashkëbisedimin e frytshëm”, vijon njoftimi. / Gazeta Enigma.