Bashkimi Evropian ka marrë në dorë për vlerësim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila së fundi u ridërgua në Qeveri për miratim, pas hedhjes poshtë të disa neneve nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Gazeta Enigma.
Në një përgjigje për Gazetën Enigma, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se pas rishikimit, vlerësimi do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës “në kohën e duhur”.
“Aktualisht jemi duke vlerësuar projektligjin e rishikuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme. Ne do të ndajmë vlerësimin tonë me qeverinë në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen e Stanos për “Enigmën”.
Stano po ashtu tha se ky projektligj do të përfshihet edhe në Raportin e ardhshëm të BE-së për Kosovën, si pjesë e Paketës vjetore të Zgjerimit.
Kujtojmë se pa kaluar në procesin e konsultimit publik, Qeveria e Kosovës, për të dytën herë e miratoi, Projektligjin e Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përmbajtja e të cilit herën e parë ishte vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues, shkruan Gazeta Enigma.
E kjo gjë është kundërshtuar ashpër nga deputet opozitar, si dhe organizata joqeveritare të cilët thonë se “kjo formë është qasje e gabuar” dhe dëshmon jotransparencën e ekzekutivit kosovar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se dikasteri që ajo drejton i ka adresuar gjetjet dhe i ka bërë ndryshimet e nevojshme në këto katër nene pas vendimit të Kushtetutës.
Ndryshimet e propozuar nga ajo u miratuan nga kabineti qeveritar, ndërsa duhet miratuar edhe nga Kuvendi.
Haxhiu pas mbledhjes tha se tash nuk ka as arsye teknike, për ta dërguar sërish këtë ligj në Kushtetuese.
VV-ja optimiste se projektligji nuk shkel Kushtetutën
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, kqa thënë se janë të bindur që drafti i ri i projektligjit, do të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Ne kemi adresu në këto 4 nene, gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, jemi të bindur që është në përputhje me Kushtetutën dhe jemi të bindur se duhet të miratohet sa më parë”, tha ai.
Tutje, Rrustemi deklaroi se duhet që sa më pare të filloj konfiskimi i pasurisë, e cila jashtëligjshëm është fituar nga zyrtarë të lartë, përgjatë viteve në Kosovë.
“Të filloj konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë, të një fenomi që e ka gërryer pasurinë publike, përgjatë viteve në Kosovë, nga politikanë të ndryshëm të cilët e kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare, për të shtuar pasurinë e tyre private, në mënyrë të paligjshme. Drafti së shpejti do të shkojë në Kuvend dhe do të verifikohet nga Komisioni për Legjislacion”, tha Rrustemi për Gazetën Enigma.
Kurse anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, për Gazetën Enigma ka thënë se projektligji nuk ka afat kohor për miratim, pasi Kuvendi është në fund të legjislacionit.
“Secila nismë ligjore, që iniciohet nga Qeveria nuk ka afat procedural për me arritë me kalu në Kuvend, se duhet të kaloj në disa lexime e miratime, ku teknikisht është e pamundshme që sivjet të kaloj ky projektligj”, tha ai.
Beqa shtoi se nuk kanë paragjykime për projektligjin e ndryshuar, dhe nëse është në harmoni me Kushtetutën, ata do e përkrahin.
“Besoj se kjo nismë, ështe nismë si e para katër viteve, e cila po bëhet për fushatë zgjedhore. Draft ligjin ende nuk e kemi parë, mirëpo ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Nuk kemi paragjykime, pasi që çdo ligj që do të jetë në frymën kushtetuese, ne e përkrahim. Mirëpo, teknikisht, është e pamundur që ky projektligj të kaloj në këtë legjislacion, pasi jemi në fund”, përfundoi ai, në një prononcim për Gazëtën Enigma.
Ndërkohë nga shoqëria civile janë ngritur dilema për projektligjin në fjalë. Kjo pasi sipas tyre nuk është bërë konsultimi publik për të, gjë e cila siç thonë ata përmbën shkelje ligjore.
“KDI vlerëson që miratimi i këtij projektligji nga Qeveria, pa kaluar nëpër procesin e konsultimit publik përveç që përbën shkelje ligjore, tregon për një qasje të gabuar dhe jotransparente të qeverisë”, kanë thënë nga KDI.
Siç thonë ata “Ne besojmë që transparenca, pjesëmarrja e publikut dhe llogaridhënia në venmdimmarrje janë parime thelbësore për të garantuar qeverisje të mirë dhe të hapur dhe mbi të gjitha për të siguruar që projektligjet të bëhen në interes të publikut dhe të jenë më të zbatueshme”.
Problematikat kyqe në ligjin që u rrëzua nga Kushtetuesja
Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.
Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, u shpreh se, byroja do të bëhet dhe do të shërbejë edhe si parandalim, që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare. / GAZETA ENIGMA