Me afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, dita e ditës po shtohen dhe premtimet ‘megalomane’ të politikanëve, shkruan Gazeta Enigma.
Rreth katër muaj para se të mbahen zgjedhjet, e tre muaj para fushatës zyrtare, partitë konkuruese kanë filluar premtimet e tyre elektorale, në përmasa astronomike.
Premtimet si rritje e vlerës së koeficientit të pagës në sektorin publik nga 110 në 150 euro, pagë 1000 euro për ushtarët e FSK-së, fjalime e premtime të shoqëruara me aksione e vizita në veri, e renovime në shkolla e investime në arsim të cilat mund t’i realizojnë nëse e udhëheqin Qeverinë.
Kreu i LDK-së, kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku, premtoi se në javën e parë që “shkel” në Zyrën e Kryeministrit, nga 110, vlerën e koeficientit do ta çojë në 150 euro.
Pos rritjes për 36% për shërbyesit publikë, ndër të tjera ka premtuar edhe se fëmijët e porsalindur do t’i kenë falas pampersat dhe qumështin për 1 vit.
“Paga më e ulët në FSK – 1000 euro”
Kreu i AAK-së, kandidati për Kryeministër për të disatën herë, Ramush Haradinaj, në vazhdën e shumë premtimeve këtyre ditëve, ka thënë se qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.
Prapa nuk ka mbetur as kandidati i PDK-së Bedri Hamza, i cili duke i promovuar projektet në Mitrovicë ka porositur as ato mund t’i realizojnë edhe në nivelin qendror.
Por sa janë të realizueshme apo besueshme këto premtime?
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë se premtimet e dhëna nga liderët opozitar janë të arritshme, por jo brenda periudhes kohore që kanë dhënë ata.
“Në një Qeveri që punon seriozisht, këto premtime elektorale munden me ndodh shumë lehtë. Kategoria e Mallrave dhe Shërbimeve, që është rritë mbi 500 milionë në këtë vit, me u kthy në normalitet, janë 100 milionë që mundem me u stimulu në këto kategori që meritojnë pagë më dinjitoze. Koeficienti 150 është shumë, dhe këta nuk e definojnë se a e bëjnë në fillim të mandatit, apo në fund, por një gjë e tillë, mundet me u arritë brenda 2 viteve. Premtimi rreth rritjes së pagave në Ushtri, mundet të jetë i realizueshëm, pasi që nuk e ngarkon shumë buxhetin e Shtetit”, tha ai.
Tutje, ai tha se Qeveria Kurti, nuk ka arritur asgjë në aspektin ekonomik, dhe se ekonomia në vend është zhvilluar në mënyrë të pavarur.
“Puna e deritanishme e Qeverisë Kurti në aspektin ekonomik, nuk ka nevojë me komentu, pasi asnjë pikë, asnjë rezultat nuk e kanë mbërri. Domethënë, ekonomia është zhvillu në mënyrë të pavarur, sikur mos të kishte Qeveri hiq. Asnjë masë e politikave ekonomike nuk është marrë nga kjo Qeveri. Kanë marrë vendime për politika sociale, që ma shumë janë të natyrës populiste. Ka vendime që janë marrë që 4 vite, por vetëm janë zhagitë. Të gjitha llojet e infrastrukturave ekonomike, janë në pikën 0, siç kanë qenë në fillim të mandatit qeverisës”, përfundoi Shatri.
Analisti politik, Amir Shabani, deklaroi se premtimet elektorale janë zakonisht të mëdha para zgjedhjeve dhe nuk realizohen.
“Sa u përket premtimeve elektorale ato janë të hiperbolizuara në fjalë zakonisht, por në të shumtën e rasteve nuk e kalojnë pragun e realizimit. Andaj, unë zakonisht këto premtime i marr me shumë rezervë, pavarësisht se cili lider apo cila parti premton, sepse me hyrjen në Qeveri ndodh që shumë gjëra ndryshojnë dhe shumë premtime zbehen”, tha ai për Gazetën Enigma.
Shabani beson se premtimi i kandidatit për kryeministrit nga AAK, Ramush Haradinaj, është temë e ndjeshme dhe se duhet realizuar, pasiqë ka lëshime të vendit të punës në Ushtri.
“Konkretisht, sa i përket premtimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj se paga minimale në FSK do jetë 1000 euro është temë shumë sensibile dhe nuk duhet mbetur vetëm si premtim parazgjedhor, pasiqë brenda një periudhe të shkurtër ka pasur lëshime të vendeve të punës nga ushtria për faktin se nuk ka funksionuar meritokracia dhe nuk janë avancuar në gradat adekuate.Arritja e formimit të ushtrisë për Kosovën ka qenë krenari për mbarë shqiptarët, sepse po e finalizon një prej shtyllave kyçe të shtetit, andaj mendoj se duhet vlerësuar kontributi i secilit prej pjesëtarëve të FSK-së dhe mos të demoralizohen për shkak aspektit financiar dhe ngritjes në grada”, tha ai.
Sipas tij, premtimet e dhëna deri më tani nga liderët opozitar, janë të realizueshme.
“Unë mendoj se janë të realizueshme premtimet paraelektorale nëse qeverisja bëhet në mënyrë të mirëfilltë dhe e braktisimin atë mentalitetin ballkanik që të shfrytëzohet mundësia e vetëpasurimit nëpërmjet pozitës zyrtare, por përkundrazi, ajo pozitë është shërbim për shtetin dhe popullin. Fatkeqësisht, popujt në përgjithësi janë të zhgënjyet nga premtimet, kështu që ideja ime do ishte të premtojnë më pak dhe të na surprizojnë me realizim të projekteve kapitale, shtetndërtim, forcim të marrëdhënieve bilaterale dhe ndërkombëtare, uljen e papunësisë, zhvillim ekonomik dhe arsim cilësor”, përfundoi ai.
Edhe në të kaluarën në kohën e fushatës janë dhënë premtime të tilla, porse shumë prej tyre nuk janë realizuar/Gazeta Enigma/