23 punëtorë sirian në Liban kanë mbetur të vrarë nga ushtria izraelite e cila ka bombarduar një ndërtesë, në të cilën jetonin punëtorë sirianë në Liban, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit.
Ky ishte ndër sulmet më vdekjeprurëse në fushatën ajrore izraelite kundër Hezbollahut – grupit militant libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Sulmi ndodhi të mërkurën mbrëma kur Shtetet e Bashkuara me aleatë bënë thirrje për një armëpushim të “menjëhershëm” 21-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Izraeli ka kërcënuar se do të kryejë ofensivë tokësore në Liban, ndërsa këmbimi i rritur i zjarrit mes tij dhe Hezbollahut ka rritur frikën se mund të shpërthejë një luftë e përgjithshme.