Koordintaorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi ky i fundit në një tubim në Krushevë të Madhe të Klinës tha se “Ne duhet të vendosim, a po i kthehemi rrugëtimit tonë tradicional apo po e dorëzojmë Kosovën tek e majta e tek ata që edhe na prishin me aleatë, as nuk bëjnë zhvillimin ekonomik, edhe i largojnë njerëzit prej Kosovës edhe mbesin gjithë ditën tu u anku se çka ka ndodhur për 20 vitet e kaluara”.
Mihali në një status të gjatë në Facebook ka thënë se Abdiuxhiku duhet të tregoj se cilës traditë dëshiron t’i kthehet, ndërsa ka shtuar “me siguri traditës së pazareve për koalicione me PDK-në dhe Listën Serbe”.
Ajo tutje ka thënë se e djathta asgjë nuk ka të bëj me Lumir Abdixhikun e enturazhin e tij, ndërsa ka shtuar se të djathtë janë; presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, Mimoza Kusari, kryetare e Grupit Parlamentar të VV-së e deputeti Haxhi Avdyli.
Postimi i saj i plotë:
E djathta nuk bën të barazohet me tyxharllëkun.
Abdixhiku paska folur për t’ju kthyer traditës. Cilës traditë se? Me siguri traditës së pazareve për koalicione me PDK-në dhe Listën Serbe.
Po ashtu e djathta asgjë nuk ka të bëj me Lumir Abdixhikun e enturazhin e tij. Sepse e djathta asnjë lidhje nuk e ka me tyxharët. Të djathtë nuk të bën sekserllëku për shitje shtëpish te biznesi i çunave të ‘Marigona’. E aq më pak përpjekja për mbështetje okulte nga Shkëlqim Devolli e instrumentet e tij.
Ky e ka pas një shans për ta tejkaluar batakun e tyxharllëkut kur guximtarët e djathtë u bashkuan për t’i dhënë jetë një projekti të madh prosperues. Po ku me e gjet ky atë guxim.
Ka të djathtë në Kosovë. Ata janë në udhëheqjen e institucioneve të Kosovës aktualisht. Ku punojnë me nder dhe përkushtim.
E djathtë e qendrës është shkëlqesia e saj Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani Sadriu.
Një kampione e së djathtës është Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla Schwarc.
E djathtë liberale është kryetarja e grupit parlamentar të mazhorancës aktuale në Kosovë znj. Mimoza Kusari Lila.
Të djathtë të qendrës e liberalë janë dhe ministra, zëvendësministra e deputete e deputetë të nderuar të mazhorancës.
I djathtë është deputeti, doktor Haxhi Avdyli.
Ato punojnë çdo ditë, pa ndalur, me një ritëm dhe integritet të lartë njerëzor e profesional për sovranitetin e vendit, për fuqizimin si kurrë më parë të mbrojtjes, ushtrisë së vendit,
për mirëqenien e familjes, për rend dhe ligj, për disiplinën financiare, për zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja, për mbështetjen e ndershme bizneseve e prodhuesve të vendit, për forcimin e shtetësisë së Kosovës ndërkombëtarisht dhe për triumfin e respektimit të të drejtave të të gjithëve.
Bashkë me ne socialdemokratët ne kemi bërë një front të gjerë që ka bashkuar ndershmërinë politike dhe punën, vullnetin, dijen vetjake e kolektive, trashëgiminë politike dhe bashkëkohësinë e atyre që kanë dhënë mundin për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
E djathta mëton për ndershmërinë në politikë, për patriotizmin.
E këto kërkojnë guxim jo cirqe me oligarkë.